Site icon Telegrafi

Rama: Shqipëria mirëpret rinovimin e marrëveshjes për eksportimin e grurit përmes Detit të Zi

Foto: Arkiv

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për zgjatjen e periudhës për eksportimin e grurit përmes Detit të Zi edhe për 120 ditë.

Në një njoftim në rrjete sociale, Rama përgëzoi Presidentin turk Erdogan dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për angazhimin e tyre në arritjen e marrveshjes.

“Shqipëria mirëpret rinovimin e Iniciativës për Grurit të Detit të Zi. Kjo linjë e rëndësishme e furnizimit me ushqime mbetet jetike për botën. Përgëzoj Turqinë, Presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres për angazhimin e tyre të fortë e të vazhdueshëm. Diplomacia është gjithmonë mënyra më e mirë për të gjetur zgjidhje”, tha Rama në një postim në Twitter.

Marrëveshja e drithit në Detin e Zi e arritur më 22 korrik, lejonte rifillimin e dërgesave të grurit nga disa porte të Ukrainës, drejt Detit të Zi, duke e çuar kështu në rreth 10 milionë tonë dërgesa dhe kontribuar në uljen e çmimeve në tregun ndërkombëtar.

Marrëveshja u nënshkruar gjithashtu nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, gjatë një ceremonie në Stamboll.

Kujtojmë që në tetor, Moska pezulloi pjesëmarrjen e saj në këtë marrëveshje, por u rikthye pas katër ditësh, duke larguar paksa frikën për ndërprerje të mëtejshme në eksportet e grurit.

Gjatë javëve të fundit ka pasur një optimizëm në rritje se Rusia do të miratonte vazhdimin e marrëveshjes. /Telegrafi/

 

Exit mobile version