Telegrafi

Rama publikon foto nga darka në Greqi, Osmani ulur afër kancelarit Scholz – Vuçiq përballë tyre

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar fotografi nga darka e punës në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që po mbahet në Selanik të Greqisë.

Në darkën e liderëve të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore mori pjesë edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, që sot vizitoi Prishtinën dhe Beogradin, dhe presidenti i Këshillit Evropain Charles Michel.

“Në darkën e punës së pjesëmarrësve në Samitin e SEECP (procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore)”, ka shkruar Rama.

Në fotografi shihet kancelari Olaf Scholz në qendër të tavolinës, afër nikoqirit Kyriakos Mitsotakis dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Krah Osmanit është Edi Rama. Përballë tyre janë kryeministri i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Në Samitin e  SEECP në Selanik presidentja Osmani do të flasë edhe për rolin që Republika e Kosovës po luan në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon; rëndësinë e bashkëpunimit rajonal duke u bazuar në parimet e barabarësisë dhe gjithëpërfshirjes, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euro-atlantike për Kosovën dhe vendet e tjera demokratike në rajon. /Telegrafi/