Kryeministri i Shqipërisë është shfaqur sot në shoqërinë e dy breshkave në zyrën e tij.
Në një video-mesazh të publikuar në Facebook, Rama i ka uruar ndjekësit e tij një javë të mbarë me sa më shumë shi, edhe pse parashikimet e motit tregojnë për kthjellime dhe kohë me diell këtë fillim jave.
“Ju uroj të gjithëve një javë të mbarë, me sa më shumë shi. Sepse na duhet për të luftuar inflacionin e luftës së Putinit, që nuk e kemi sjellë ne, por duhet të bëjmë çmos që ta lehtësojmë për të gjithë ju”, tha Rama.
Rama tha gjithashtu se Partia Socialiste nis sot zyrtarisht punën për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
“Një ditë e re, një javë e re, në zyrën e PS, për të nisur edhe një rrugë të re drejt një fitoreje të re, atë të zgjedhjeve vendore. Dhe dialogun me komunitetet në të gjithë Shqipërinë, për qeverisjen vendore dhe sfidat e përbashkëta”, ka shtuar kryeministri. /Telegrafi/