Erërat e forta të enjten kanë demoluar kulmin e Komunës së re të Prishtinës, duke e hedhur tërësisht në tokë, si pasojë një grua ka marrë lëndime trupore.
Lidhur me këtë, ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Sot, në objektin e Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” për shkak të erërave të forta ka kolapsuar një pjesë e kulmit, ku për pasojë një person është lënduar dhe tani është nën kujdes mjekësor”.
“Menjëherë kam kontaktuar me familjarët e të lënduarës për t’iu qëndruar pranë në këto momente. Lutemi për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë”, shkroi Rama.
Ai ka kërkuar nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, e cila ka thënë se është iniciuar vepër penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Prokuroria në koordinim me policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, nga i cili sipas informatave që kemi deri më tani ka marrë lëndime trupore një person (femër)”, ka njoftuar Ulaj./Telegrafi/