Takimi konsultativ me prindër e mësues mbi sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve vecanërisht në hapësirat digjitale të rrjeteve sociale, vijoi sot në shkollën “Halit Çoka” në Kamëz, ku Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu bashkëbiseduan me prindër, mësues e staf mbështetës për të fuqizuar mekanizmat e parandalimit të çdo forme dhune, si dhe bullizmit të fokusuar tek rrjetet sociale.
Sipas Ramës, “bllokimi i TikTokut është një ndihmë, por nuk është zgjidhje”.
“Dhe nuk ka asnjë zgjidhje nëse nuk ka më shumë përfshirje të drejtpërdrejtë të familjes, të shkollës dhe të të dyjave bashkë pastaj, prindërit, mësuesit dhe natyrisht, edhe institucioneve të tjera, në funksion të rritjes, të zgjerimit dhe forcimit të parametrit të sigurisë”, theksoi Rama.
“Ajo që duhet kuptuar nga të gjithë është që ne, që këto rrjete janë të ndërtuara tamam si gropa thithëse dhe çdokujt i çojnë më shumë, në bazë të gjërave që çdokush klikon dhe sheh aty dhe në një farë mënyre kanë të njëjtin efekt, siç kanë drogat që i bëjnë njerëzit të varur nga ekrani, sepse ju japin më shumë ushqim në varësi të oreksit të tyre. E natyrisht që kur vjen puna tek më të rinjtë edhe tek fëmijët, gjërat e ndaluara ose gjërat që atyre ju thuhet në shtëpi, ju thuhet në shkollë: “Kjo nuk është e mirë, kështu nuk bëhet. Këtu nuk duhet”, tërheqin më shumë, tërheqin më shumë edhe mbi bazën e kësaj tërheqje më shumë, krijohet pastaj gjithë ai konfuzion në kokën e tyre midis jetës reale edhe gjithë stresit që krijohet nga kërkesat e prindërve, të familjes, të shkollës dhe jetës virtuale që është pa stres në dukje, por që ka efekte të studiuara dhe të publikuara deri mbi shëndetin mendor të fëmijëve”, shtoi kryeministri. /Telegrafi/