Kryeministri Edi Rama ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” nuk e bashkon Shqipërinë dhe Kosovën, por se nuk i pengon në marrëdhëniet bilaterale.
Rama gjatë një konference për medie pas takimit të dy qeverive, theksoi se heqja e tarifave në këtë nisme duhet të bëhen edhe me Kosovën.
“Është e vërtete që Ballkani i Hapur nuk na bashkon, po ama është po kaq i vërtet që ky nuk na ndanë. Që do të thotë se në këtë pikë kemi këndvështrime të ndryshme, ky nuk është sekret që do të thotë se nuk do të na pengojnë për marrëdhënie bilaterale”, tha Rama, shkruan Telegrafi.
Ai shoi se sa i përket tarifave doganore, Shqipëria do ta hap tregun.
“Porosia ime nga qeveria që unë e drejtoj është se çdo gjë që jetësohet me Ballkanin e Hapur duhet ta jetësojmë edhe me Kosovën. Heqja e të gjitha tarifave doganore për kompanitë është sot në Ballkanin e Hapur, duam ta bëjmë edhe më Kosovën. Për sa i përket tarifave, Kosova na ka kërkuar kohë që ta bënë një studim të fizibilitetit, por që ne do ta hapim në mënyrë të një anshme”, shtoi ai.
Rama përfundoi se në takimet me bizneset në Kosovë nuk duhet përfshihet asnjë spekulim.
“Mos kërkoni nga qeveritë që të flasin për ndërmarrjet. Unë takohem me bizneset e Kosovës qoftë edhe në Shqipëri, kjo nuk është diçka që ka të bëjë me Qeverinë e Kosovës dhe nuk duhet të përfshihet këtu asnjë aluzioni apo spekulimi që nuk është i vërtet”, përfundoi Rama.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti është shprehur se “Ballkani i Hapur” është një çështje tjetër krahasuar me takimet bilaterale me Shqipërinë.
“Marrëdhëniet tona bilaterale janë të shkëlqyeshme dhe vëllazërore. Vëllezërit nuk kanë ndërmjetësues ndërmjet njëri-tjetri, prandaj edhe kjo mbledhje është që t’i forcojmë te dy shtete tona. Çështja e ngritur [Ballkani i Hapur] është e një çështje tjetër, jo midis Kosovës dhe Shqipërisë e për këtë nuk kam diçka të re të shtoj”, përfundoi Kurti. /Telegrafi/