Telegrafi

Rama i ashpër me opozitën: Ju jeni thika në shpinën e Kosovës, i keni hapur rrugën raportit të Dick Marty-t

Foto: Arkiv

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ngritur gishtin sot kundër opozitës, duke e akuzuar atë se po përdorë projektrezolutat për gjenocidin në Srebrenicë dhe Kosovë për përfitime politike të momentit.

Gjatë fjalës së tij sot në Kuvend në ditën e votimit të rezolutës kundër raportit të Dick Marty-t, Rama e akuzoi Partinë Demokratike se i ka ngulur thikën në shpinë Kosovës.

Ai tha se opozita duhet të flasë në Kuvend nëse është mirë që Thaçi është në burg në Hagë.

Lexo po ashtu Rezoluta kundër raportit të Dick Marty-t, pritet miratimi sot në Kuvendin e Shqipërisë

“Për të zgjedhur problemet mes gojores dhe foltores, duhet të zgjidhim problemet tona. Këta jeni ju. U miratua rezoluta për Srebrenicën, u miratua apo jo. U miratua kur ishte planifikuar të miratohej në ditën e Srebrenicës, jo në ditën e foltores dhe gojores. S’keni çfarë t’i bëni gomarit, dhe i bini gomarit”, ka thënë Rama.

“Dick Marty-t ia keni hapur rrugën ju. Ça mendoni për Hashim Thaçin? Është mirë që është në burg? Thika që i keni ngulur Kosovës nga dita e parë, deri në ditën e fundit, duke e ngritur thikën dhe duke ia ngulur në gjoks presidentit të Kosovës, i përkasin historisë. Historia do të tregojë se ju ‘patriotët e mëdhenj’, jeni thika në shpinën e Kosovës. Ju kështu keni qenë gjithmonë. Bishti i shtrembër nuk drejtohet”, tha Rama. /Telegrafi/