Telegrafi

Rama arrin në Kosovë, pritet nga ambasadori i Shqipërisë

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku është pritur nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Rama do të pritet në takim në orën 16:00 nga presidentja Vjosa Osmani, me të cilën do të zhvillojë takim dypalësh.

Pas presidentes, Rama do të takojë kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Ndërsa, në pritje të konfirmimit mbetet ende takimi me kryeministrin Albin Kurti.

Lexo po ashtu Rama ia përmbush kërkesën Kurtit për takim – i nënshkruan 13 marrëveshjet e përbashkëta

Rama në mëngjes ka njoftuar se janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës, 13 marrëveshjet që ishin paraparë të nënshkruheshin në mbledhjen e dy qeverive më 14 qershor.

Ai ka thënë se mbetet me shpresë se pas kësaj do të ketë takim me homologun e tij në Kosovë.

“Me firmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, ka shkruar Rama në Twitter.

E Kryeministri Kurti të mërkurën ka deklaruar se është i gatshëm ta presë kryeministrin Rama në takim vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive./Telegrafi/