Ivan Rakitic e ka krahasuar rikthimin e çmendur të Barcelonës në Ligën e Kampionëve, me triumfin e New England Patriots në Super Bowl LI.
Blaugranët e eliminuan Paris Saint-Germainin pas fitores prej 6-1 në Camp Nou dhe kroati akoma e ka të vështirë ta besojë atë që ndodhi.
Ky rikthim ia kujtoi fitoren e Patriots, të cilët e përmbysën rezultatin prej 28-3 ndaj Atlanta Falcons, për të fituar me rezultat 34-28, në superpërballjen e muajit shkurt.
“Jo, nuk mund ta besoj. Ishte vërtet e pamundur. Tash, pas ndeshjes, është diçka e çmendur dhe e pabesueshme”.
“Faleminderit skuadrës, njerëzve përreth klubit dhe tifozëve. Ishte vërtet një ditë e veçantë dhe është vështirë të thuhet diçka”.
“E pamë në Super Bowl se çfarë është e mundur në sport. Sot ishte çmenduri. Kjo është Barcelona, skuadra më e mirë në botë dhe duam ta vazhdojmë ëndrrën tonë në Ligën e Kampionëve”, ka deklaruar Rakitic për BT Sport. /Telegrafi/