Deklarata e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, se do të ketë luftë nëse ndodh ndarja e Mitrovicës, ka nxitur reagimin e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili njëherësh është edhe kryetar në dorëheqje i Mitrovicës së veriut.
Rakiq ka deklaruar se populli serb në Kosovë ka pranuar me shqetësim të madh deklaratat e fundit të kryetarit të Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, duke i cilësuar ato si kërcënim.
Siç raporton FoNet, Rakiq ka thënë se pret nga KFOR-i dhe EULEX-i, në përputhje me mandatet e tyre, të rrisin gatishmërinë dhe veprimin preventiv në mënyrë që të mos vijë deri te rrezikimi i paqes dhe sigurisë së qytetarëve.
“Kërcënimet e tilla të rrezikshme për paqen, në këtë kohë të tensioneve të larta, mund të rrënojnë në mënyrë të pakthyeshme stabilitetin e brishtë, të cilin ne si përfaqësues të popullit serb e kemi ndërtuar me përgjegjësi në kushte të vështira”, ka thënë Rakiq, përcjell Telegrafi.
“Ne kurrë nuk kemi kërcënuar askënd, por në qoftë se dikush prek shtëpitë tona në veri të Mitrovicës, do të marr përgjigjen e merituar”, ka thënë Rakiq.
Deklaratat për luftë Bahtiri i bëri sot në tubimin për të shënuar 19 vjetorin e masakrës së natës ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, që ndodhi në veri të Mitrovicës, kur humbën jetën 10 persona dhe janë plagosur 25 të tjerë. /Telegrafi/