Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka paralajmëruar kaos në veri, duke pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka thënë se “sonte do ta dërgojë ROSU-në dhe njësitë tjera të armatosura deri në dhëmbë në veri të Kosovës”.
“Sipas informacioneve që kemi, Albin Kurti në takimin që ka pasur me strukturat e tij të sigurisë njoftoi se sonte do të dërgojë ROSU të armatosur dhe njësitet tjera në veri të Kosovës për të përndjekur popullin tonë dhe për të kryer “Stuhinë””, thuhet në reagimin e Rakiq të shpërndarë nga faqja e Listës Serbe.
Rakiq i ka bërë thirrje KFOR-it që “ta parandalojë depërtimin e njësive speciale në veri”.
“I bëjmë thirrje KFOR-it që të parandalojë depërtimin e ROSU-së në veri të Kosovës, sepse prania e tyre në këto zona është kundër të gjitha marrëveshjeve në fuqi”.
“Ky është momenti kur përgjegjësia është e KFOR-it dhe EULEX-it për ta parandaluar kaosin që po e përgatit Kurti”, ka shtuar ai./Telegrafi/