Telegrafi

Raketat ukrainase godasin Krimenë ndërsa Rusia nis stërvitjet bërthamore në atë zonë

Stërvitja në Qarkun Ushtarak Jugor, i cili përfshinë gadishullin e okupuar ukrainas të Krimesë, po realizohet edhe me armë bërthamore taktike të cilat mund të përdoren në fushë betejë.

Kreu rus i gadishullit të aneksuar, Sergei Aksyonov, ka njoftuar se Ukraina ka sulmuar dy objektiva ruse në Krime.

Në sulmin me raketa pranë Simferopol, qendrës kryesore administrative të Krimesë, kanë mbetur të vdekur dy persona.

Gjithashtu, ushtria ukrainase ka goditur edhe një ndërtesë në Alushta, bregun e Detit të Zi në Krime, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Bëhet e ditur se sulmi vjen pasi Rusia po zhvillon stërvitje në Distriktin e saj Ushtarak Jugor, disa prej të cilave edhe në Krime.

Stërvitja ruse thuhet se përfshinë edhe armë bërthamore taktike, të tilla si bomba ajrore, koka luftarake për raketa me rreze të shkurtër dhe municione artilerie.

Lexo po ashtu Ukraina nis të dërgojë të dënuarit me burg në luftë

Armët bërthamore taktike janë më pak të fuqishme se armët bërthamore strategjike konvencionale, por ato mund të përdoren në fushën e betejës.

Siç raportohet, Rusia mban rregullisht stërvitje që përfshijnë armë bërthamore taktike.

Megjithatë, thuhet se kjo është hera e parë që Kremlini e shpall publikisht këtë.

Ndryshe, njoftimi erdhi pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, përsëriti se ai nuk e përjashton dërgimin e trupave në Ukrainë dhe pas deklaratës së Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i cili tha se forcat e Kievit do të jenë në gjendje të përdorin armët britanike me rreze të gjatë për të goditur objektivat brenda Rusisë. /Telegrafi/