Kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka thirrur në takim urgjent Komitetin e Këshillit Ministror për Çështjet e Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, njoftoi zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Muller.
Ai nuk zbuloi arsyen e thirrjes së mbledhjes urgjente, por mediat polake raportojnë se ajo u thirr për shkak të raketave që ranë në një fshat afër kufirit me Ukrainë, ku si pasojë humbën jetën dy persona.
Në anën tjetër, një zyrtarë i lartë i inteligjencës amerikane, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për dy raketa ruse, transmeton Telegrafi.
Premier @MorawieckiM zwołał w trybie pilnym Komitet Rady Ministrów do spraw Bezpieczeństwa Narodowego i spraw Obronnych.
— Piotr Müller (@PiotrMuller) November 15, 2022
“Ju lutemi mos publikoni informacione të pakonfirmuara, ne do ta diskutojmë këtë pas takimit”, tha Muller në një deklaratë të shkurtër për mediat polake.
Në takim me ministrat do të jetë edhe presidenti Andrzej Duda. Të gjithë ata do të ulen për të diskutuar në Zyrën e Sigurisë Kombëtare.
Në takim do të marrin pjesë ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Mariusz Kaminski, ministri i Punëve të Jashtme, Zbignieë Rau, ai i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, si dhe komandanti i Degëve Operative të Forcave të Armatosura dhe Komandanti Suprem i Policisë. /Telegrafi/