Edicioni i sivjetmë i Kupës së Kosovës ishte më i veçantë, duke qenë se ‘Final 8’ u zhvillua në palestrën e re të Rahovecit, “Mizahir Isma”.
‘Vreshtarët’ u bënë me shtëpi dhe organizuan një eveniment të mrekullueshëm basketbolli të shoqëruar me atmosferë fantastike nga tifozët.
Të dielën (3 mars) u zhvillua finalja e madhe, pikërisht ndërmjet nikoqirit dhe skuadrës së pamposhtur këtë sezon, Z Mobile Prishtina.
Në fund të ndeshjes ishin bardhekaltrit ata që iu gëzuan fitores dhe trofeut të radhës në Kupën e Kosovës, ku mbajnë rekord triumfesh.
Sidoqoftë, Rahoveci ka marrë lëvdata të shumta për organizimin, ndërsa edhe klubi i basketbollit është shprehur krenar për këtë arritje, përkundër se nuk arriti ta shkruante historinë për ta fituar Kupën e parë të Kosovës.
“Humbëm finalen, por fituam shtëpinë dhe zemrat e gjithëve. Rahovec faleminderit për netët magjike, ky është veç fillimi”, shkruan në faqen e klubit në Facebook.
Theksojmë se për të arritur në finale, Z Mobile Prishtina triumfoi ndaj Golden Eagle Yllit (83-77), ndërsa Rahoveci e mposhti Ponte Prizrenin (84-77). /Telegrafi/