Telegrafi

Rahoveci fiton dramën përballë Prishtinës, fituesi u vendos në fund

Rahoveci ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet me rezultat 77:81 (20:17, 22:22, 16:20, 19:22), në kuadër të javës së 24-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.

Periudha e pare ishte e barabartë deri në minutat e fundit, kur epërsia e vendasve shkoi deri në gjashtë pikë, 20:14, kurse kjo pjesë përfundon 20:17.

Çereku i dytë ishte tërësisht i barabartë, ku Vreshtarët dy herë barazuan shifrat, kurse epërsia më e lartë e prishtinasve shkoi në gjashtë, ndërsa pjesa e parë përfundon 42:39.

Perioda e tretë gjithashtu ishte shumë interesante, me të dy skuadrat që kalonin në epërsi, herë njëra e herë tjetra. Epërsia më e lartë gjithashtu u takoi vendasve, 54:48, por mysafirët nuk dorëzohen dhe me një seri të suksesshme kalojnë në epërsi 58:59, sa ishte rezultati pas 30 minutave.

Rahoveci vazhdoi me lojë të mirë edhe në 10 minutat e fundit, ku kishte epërsi në gjashtë pikë, 64:70, por bardhekaltrit hyn në një seri prej 9:0, për të rikthyer epërsinë në 73:70.

Më pas radha për serinë e suksesshme i takoi mysafirëve prej 7:0, për të kaluar në epërsi 73:77, tre minuta nga fundi i përballjes. Fundi ishte mjaft dramatik, por i bukur për Rahovecin që triumfoi 77:81.

Te Sigal Prishtina u dalluan Nigel Johnson me 22 pikë dhe Tevin Mack me 20, kurse te Rahoveci më të mirët ishin Darell Davis me 31 pikë, 11 kërcime e 6 asistime dhe Ed Daniel me 24 pikë.

Sigal Prishtina tani ka 9 fitore dhe 15 humbje, kurse Rahoveci 15 fitore dhe 9 humbje.