Adrien Rabiot do të mbetet futbollist i lirë më 30 qershor, por ai ende nuk e ka të qartë të ardhmen e tij.
Mesfushori francez ka pasur një vit fantastik me fanellën e Zonjës së Vjetër, ndoshta më të mirin në karrierën e tij.
28-vjeçari ka zhvilluar 48 ndeshje zyrtare në të gjitha garat ku ka realizuar edhe 11 gola dhe ka asistuar në gjashtë të tjerë.
Kontrata e tij me Zonjën e Vjetër skadon më 30 qershor, derisa drejtuesit e gjigantit italian po mundohen ta bindin me një kontratë të re pesë vjeçare.
Rabiot ka në tavolinë ofertën e Juventusit prej shtatë milionë eurove neto në sezon që është e njëjta sa fiton aktualisht.
Megjithatë francezi ende nuk i ka kthyer përgjigje torinezëve pasi po shqyrton edhe ofertat e tjera para se të marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij.
Mundo Deportivo nga ana tjetër ka raportuar se Barcelona është duke e monitoruar situatën e francezit dhe është gati t’i ofrojë një kontratë, por jo me pagën që fiton aktualisht Rabiot.
Gjithsesi për francezin nuk mungojnë interesimet nga Liga Premier, pasi Manchester United e Liverpool janë vënë pas tij si dhe Bayern Munich që e dëshiron transferimin e Rabiot në Bundesliga. /Telegrafi/