Pavarësisht shkatërrimit të lënë pas nga forcat ruse që u larguan nga qyteti ukrainas Kherson, banorët atje thanë se nuk e kanë humbur shpresën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ata kanë thënë se trupat ruse që po largoheshin plaçkitën qytetin, ndërsa mediat raportuan se forcat në tërheqje kishin hedhur në erë një pjesë të një qendre transmetimi televiziv dhe kishin dëmtuar infrastrukturën e ngrohjes dhe energjisë elektrike.
“Është e dhimbshme të shikosh sesi po shkatërrohej qyteti para syve tanë”, tha banorja Tetiana, e cila nuk pranoi të jepte mbiemrin e saj.
Ndërsa shumica e njerëzve thanë se kushtet e jetesës nën okupim ishin të mjerueshme: energjia elektrike, uji dhe shërbimet telefonike u ndërprenë.
Urat gjithashtu u hodhën në erë, duke e bërë të vështirë lëvizjen midis fshatrave për të blerë dhe shitur ushqime – dhe minat fshiheshin kudo.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Ukraina kishte mbledhur prova për të paktën 400 krime lufte të kryera nga trupat ruse gjatë pushtimit të zonës, duke përfshirë vrasjet dhe rrëmbimet, përveç shkatërrimit të gjerë të infrastrukturës.
E një zyrtar ukrainas e përshkroi situatën në Kherson si “një katastrofë humanitare”.
Tërheqja ruse shënoi një moment historik triumfues në reagimin e Ukrainës kundër pushtimit të Moskës pothuajse nëntë muaj më parë.
Ndryshe, në dy muajt e fundit, ushtria e Ukrainës pretendoi se kishte rimarrë dhjetëra qytete dhe fshatra në veri të qytetit Kherson. /Telegrafi/