Site icon Telegrafi

Qytetarët e Kosovës, sot iu drejtohen kutive për të votuar kryeministrin dhe deputetët e ardhshëm të vendit

Qytetarët e Kosovës, sot do t’iu drejtohen kutive për të votuar kryeministrin dhe deputetët e ardhshëm të vendit, përkatësisht legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës.

KQZ ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet sa i takon organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Gjatë procesit zgjedhor çdo qytetar duhet të ketë me vete një dokument identifikimi dhe në fletëvotime duhet të votojnë për vetëm një parti që dëshirojnë, ku do të përzgjedhin pesë kandidatë të asaj partie, në mënyrë që fletëvotimi të jetë i vlefshëm.

Lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet e parakohshme përmban 1,937,869 emra të votuesve, me dallim prej 111,733 votues më shumë, në krahasim me zgjedhjet lokale të datës 22 tetor 2017.

Numri i Qendrave të Votimit (QV) është 895, katër qendra të votimit më pak se në zgjedhjet lokale, të datës 22 tetor 2017, dhe numri i vendvotimeve është 2 mijë e 547, ose 42 më shumë se në zgjedhjet lokale të datës 22 tetor.

Numri i votuesve të ri që do të votojnë për herë të parë është 111 mijë e 733 votues.

Për zgjedhjet e 6 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte, prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur.

Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga një grup i më shumë se 40 organizatave të shoqërisë civile të cilët janë bashkuar në koalicionin “Demokracia në Veprim”.

Po ashtu procesi zgjedhor do të vëzhgohet edhe nga një mision i gjerë i Bashkimit Evropian.

Rreth 30 vëzhgues dhe analistë të këtij misioni janë vendosur në Kosovë që nga fillimi i muajit shtator.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale, njofton Telegrafi.

Exit mobile version