Telegrafi

QUINT-i sërish thirrje Qeverisë së Kosovës: Zbatojeni vendimin e Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit

Ambasadorët e QUINT-it kanë lëshuar sot një deklaratë të përbashkët lidhur çështjen e pronës së Manastirit të Deçanit, duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.

Në deklaratën e përbashkët të QUINT-it thuhet se në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë, ndërkaq përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar.

“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar.

Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Lexo po ashtu Shtetet e QUINT-it, Qeverisë: Zbatojeni vendimin e Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës. Prandaj, sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – ka zgjatur më shumë se 15 vjet.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2016 ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por vendim ky që ende nuk është zbatuar.

Manastiri i Deçanit ka edhe një kontest me autoritetet lokale në Deçan, e që ka të bëjë me ndërtimin e rrugës kryesore Deçan – Plavë.

Për çështjen e manastirit, muaj më parë ishte deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti.

“Ne kemi rezervën tonë të zakonshme për vendimet e regjimit të Millosheviqit, të cilat për bindje  time, çuditërisht janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar ajo nëpër fazat e zakonshme, sikurse tjerat”, ishte shprehur Kurti. /Telegrafi/