Analistët vlerësojnë se protestat në veri të Kosovës, të cilat të hënën eskaluan në përdorim të dhunës, janë pasojë e veprimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës.
Sipas analistëve, gjërat mund të shkojnë edhe më keq marrë parasysh sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
SHBA-ja ka anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023” dhe sipas ambasadorit Hovenier, kjo është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës pasi “ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në veri”. Hovenier ka thënë se SHBA-ja po mendon edhe për vendime të tjera që do të marrë në këtë drejtim.
Edhe sekretari Blinken ka qortuar autoritetet e Kosovës, duke thënë se vendimi për të përdorur forcë për të hyrë në ndërtesat komunale në veri ishte marrë “kundër këshillës” së SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe se “po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”. E kryeministri Albin Kurti një deklaratë të tillë e quajti të padrejtë, të gabuar dhe shumë naive.
E profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një prononcim për Telegrafin tha se veprimet e Kosovës të pakoordinuara me aleatët kanë shkaktuar shumë trazira.
“Normalisht që gjithçka ka qenë e përgatitur nga pala tjetër – ajo serbe. Por, ne gjithmonë po bimë në grackën serbe dhe kjo është një mangësi e madhe e kësaj qeverisje e kësaj elite politike që është në pushtet sepse po mundohet që gjërat çdo herë t’i zgjidhë me forcë të cilën nuk e ka. Kjo është e pakuptimtë se si qeveria e din që nga fuqi dhe bën veprime të tilla”, deklaroi Arifi.
Sipas tij, kjo dëshmon se qeveria nuk po e kupton rolin, gjendjen gjeopolitike të Ballkanit e as situatën çfare mbretëron në botë.
Sa i përket mospajtimeve mes Kurtit dhe Blinken, tha se është fat i keq që u shfaqën në publik.
“Tashmë dihet që SHBA-ja e ka sanksionuar Kosovën dhe kjo dëshmon pikërisht atë papjekurinë, joseriozitetin dhe naivitetin e Kurtit sidomos në këtë rast karshi SHBA-së dhe sekretarit Blinken. Në momentin që një kryeministër bën deklarata publike të fuqishme kundër sekretarit të shtetit atëherë normalisht që gjërat do të vijojnë edhe më keq”.
“Nuk është vetëm kjo. Veprimi i Kosovës pa koordinim me SHBA-në po vërehet që e ka lënduar edhe më shumë SHBA-në se sa fjalimi i Kurtit në një medium”, u shpreh tutje Arifi.
Veprimet e fundit të ekzekutivit shqetësuese i cilësoi edhe njohësi tjetër i marrëdhënieve ndërkombëtare, Emir Abrashi.
“Edhe pse ato po bëhen për arsye legjitime siç është instalimi i kryetarëve të zgjedhur në zgjedhjet lokale, ato po bëhen në një formë të papranueshme për aleatët ndërkombëtarë dhe pa koordinim me këta të fundit”, tha ai për Telegrafin.
Abrashi theksoi se kryetarët e zgjedhur në veri kanë fituar me vetëm 3.5 për qind të votave dhe rrjedhimisht hasin në rezistencë nga popullata me shumicë serbe, ndaj sipas tij për ta bërë instalimin e tyre në pozitat të cilat i kanë marrë nevojitet që të gjendet një zgjidhje e ndërmjetme me ndihmën e aleatëve.
“Qeveria e Kosovës i ka ndërmarr veprimet në mënyrë të njëanshme dhe për rrjedhojë përgjigja që e ka marrë nga aleatët është shumë shqetësuese. Asnjëherë më parë Kosova nuk ka marrë mesazhe kaq kërcënuese nga aleatët e vet dhe padyshim se mesazhi më i rëndë ishte ai i sekretarit amerikan Blinken, i cili tha se këto veprime të Kosovës do të ketë pasoja për raportet bilaterale me SHBA-në”, tha ai.
“Pra, nuk tha se mund të ketë, por do të ketë dhe kjo u vërejt edhe me vendimin e djeshëm për përjashtimin e Kosovës si dhe u vërejt nga mesazhet e ambasadorit Hovenier që dha për mediat e Kosovës, ku tregoi se SBBA nuk ka interesim për ta përkrahur Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Po ashtu u bë e qartë se zyrtarët e Kosovës nuk janë të mirëpritur për vizita në SHBA si dhe nuk do të ketë vizita të zyrtarëve të lartë amerikanë në Kosovë”.
Abrashi mes tjerash tha se në mënyrë automatike dhe të menjëhershme Kosova duhet që t’i tërheqë forcat e veta policore nga veriu dhe ta stabilizojë gjendjen
“Ajo që është e rëndësishme në këtë fazë është që të punohet për sanimin e dëmit dhe të shpresojmë që dëmi do të jetë i riparueshëm anipse mesazhet që janë dhënë nga aleatët tregojnë se problemet janë shumë të mëdha”, përfundoi ai.
Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve e punëtorëve medialë.
Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it – tre prej tyre janë lënduar si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit. /Telegrafi/