Kolegjiumi i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv përmes një njoftimi për media ka dhënë më shumë informata lidhur me vdekjen e ish-luftëtarit të UÇK-së, Avni Hyseni, i cili ndërroi jetë në orët e mbrëmjes të datës 31.12.2018, teksa po trajtohej në këtë klinikë.
Në këtë njoftim tregohet ecuria e trajtimit të pacientit, dhe lëvizjes së tij nga Spitali i Pejës në QKUK, e pastaj edhe për trajtim në Spitalin Amerikan në Tiranë.
Kolegjiumi i kësaj klinike përmend edhe sjelljen e vëllait të të ndjerit, Adnan Hysenit, i cili me datë 10 janar 2019 kërkoi dosjen e të vëllait.
“Me dt. 10.01.2019 rreth orës 15:00, vëllai i të ndjerit A. Hyseni vjen në Mjekimin Intensiv Qendror dhe kërkon dosjen komplete të të ndjerit. Përkundër sqarimeve që këto dokumente duhet të merren në mënyrë të rregullt, përmes kërkesës në organet kompetente dhe se ekipi kujdestare nuk ka qasje në arkivin e dokumenteve, ai kërcënonte se do te ndodhin gjëra të këqija po që se nuk ofrohen të njëjtat, pa hyrë në detaje për fjalorin e rëndë, kërcënues, ofendues që i bën stafit mjekësor. Për shkaqe sigurie ftohet policia, e cila komunikon me stafin mjekësor, kolegët e tyre dhe familjarin, për të mbajtë në kontroll situatën. Sidoqoftë, pas komunikimeve të vazhdueshme me Drejtorinë për shkak të ndjeshmërisë së situatës së krijuar, vendoset që me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, të ShSKUK, të ftohet stafi përgjegjës për hapjen e arkivit, të sigurohet dokumentacioni i fotokopjuar dhe t’i jepet familjarit”, thuhet në kumtesën për media.
Kumtesa e Kolegjiumit të Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv:
“Me këtë informatë, Kolegjiumi i Kl. Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv informon opinionin e gjerë lidhur me rrjedhën trajtimit të pacientit Avni Hyseni, i cili ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror (MIQ)-QKUK.
Me datën 12.12.2018, pacienti A. Hyseni ishte dërguar në Spitalin e Pejës, pa vetëdije dhe me ndërprerje të punës së zemrës. Pas disa orëve, pasi që patologjia ka qenë shumë e rëndë, ai transferohet në Q. Emergjente-QKUK, ku pas ekzaminimeve mjekësore, verifikohet Gjakderdhje masive në tru. I njëjti transferohet në MIQ, për mjekim intensiv dhe mbështetje respiratore, aty ku gravitojnë pacientët me patologji më të rënda nga të gjitha institucionet shëndetësore të Kosovës. Familjarët janë informuar për gjendjen shëndetësore të pacientit dhe prognozën e tij. Me vetiniciativë dhe insistim, familjarët vendosin që pacientin ta transferojnë në Spitalin Amerikan në Tiranë për trajtim të mëtutjeshëm, me përcjellje të ekipës mjekësore.
Sipas dokumentacionit që e posedojmë , në Spitalin Amerikan i janë bërë disa ekzaminime përmes të të cilave është konfirmuar Gjakderdhja masive në tru e shkallës më të rëndë, më vdekshmëri 100%, dhe rrjedhimisht është konsideruar si rast i patrajtueshëm në aspektin kirurgjik. Sipas këtij dokumentacioni, familjarët janë informuar për gjendjen dhe prognozën e rëndë të pacientit. Me datën 13.12.2018 sërish me vetiniciativë, familjarët vendosin që pacientin ta transferojnë në Spitalin e Pejës, duke marrë përsipër edhe rreziqet e transportit.
Në Spitalin e Pejës respektivisht në Mjekimin Intensiv, pacienti qëndron për 6 ditë ( nga dt. 13-19.12.2018), në gjendje Kome të pandryshuar. Me dt 19.12.2018 me vetiniciativë të familjarëve, pacienti sërish transferohet në MIQ në QKUK.
Nga dita e parë në MIQ, pacienti vazhdon të trajtohet me të gjitha protokolet e trajtimit të pacientëve me një patologji të tillë. Janë kryer të gjitha ekzaminimimet radiologjike dhe laboratorike konform natyrës së sëmundjes, janë konsultuar të gjithë specialistët që kishin të bëjnë me sëmundjen e tij. Pacienti vazhdonte të mbijetonte përmes barnave të fuqishme ( kardiovaskulare) dhe aparaturës mjekësore.
Gjendja e përgjithshme mbetet gjithmonë e rëndë, me parametra të përkeqësimit në vazhdimësi. Lidhur me gjendjen e përgjithshme, seriozitetin e sëmundjes dhe rreziqet që pritet të ketë sëmundja e tij, sërish familjarët kanë qenë në vazhdimësi të informuar.
Gjatë qëndrimit në Mjekim Intensiv Qendror Me dt. 31.12.2018 në orët e mbrëmjes përkeqësohet gjendja e pacientit për të coilën gjë informohen familjarët. Rreth orës 21:00 ndalet puna e zemrës dhe përkundër masave të reanimimit, në ora 21:20 konstatohet vdekja e tij. Sipas procedurave standarde mjekësore, pas konstatimit të vdekjes, pacienti çkyqet nga aparaturat mjekësore. Menjëherë informohen familjarët dhe pas shpjegimit që masat reanimuese kanë qenë të pasuksesshme, ju shprehen ngushëllime të sinqerta për vdekjen e pacientit.
Duhet cekur që rregullat e përcaktuara në Mjekim Intensiv Qendror i lejojnë familjarët e ngushtë që t’i vizitojnë pacientë një herë në ditë, pas marrjes së informatave zyrtare në ora 13:00, si dhe familjarëve u jepet receta me barërat të cilat mungojnë në ditën e vizitës, e cila gjë variron varësisht nga furnizimet të cilat bëhen në QKUK.
Këto vizita janë të kufizuara, për shkak të rrezikut të bartjes së infeksioneve te kjo kategori e pacientëve, të cilët janë shumë të ndieshëm.
Me dt. 10.01.2018 rreth orës 15:00, vëllai i të ndjerit A. Hyseni vjen në MIQ dhe kërkon dosjen komplete të të ndjerit. Përkundër sqarimeve që këto dokumente duhet të mirren në mënyrë të rregullt, përmes kërkesës në organet kompetente dhe se ekipa kujdestare nuk ka qasje në arkivën e dokumenteve, ai kërcënonte se do te ndodhin gjëra të këqija po që se nuk ofrohen të njëjtat, pa hyrë në detaje për fjalorin e rëndë, kërcënues, ofendues që i bën stafit mjekësor. Për shkaqe sigurie ftohet policia, e cila komunikon me stafin mjekësor, kolegët e tyre dhe familjarin, për të mbajtë në kontroll situatën. Sidoqoftë, pas komunikimeve të vazhdueshme me Drejtorinë për shkak të ndjeshmërisë së situatës së krijuar, vendoset që me urdhër të Drejtorit të Përgj, të ShSKUK, të ftohet stafi përgjegjës për hapjen e arkivës, të sigurohet dokumentacioni i fotokopjuar dhe t’i jepet familjarit.
Të nderuar qytetarë, në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv trajtohen pacientët më të rëndë të ardhur nga të gjitha institucionet shëndetësore dhe rrugët e Kosovës dhe çdo sekondë stafi mjekësor me përkushtimin më të madh, lufton për jetën e tyre. Ne jemi të gatshëm që me kompetencë t ju përgjigjemi të gjitha pyetjeve dhe shqetësimeve të organeve kompetnente dhe mediave elektronike apo të shkruara.
Njëkohësisht, kërkojmë nga të gjitha mediat që për çështjet të tilla të ndjeshme, së pari të komunikojnë me institucionet përgjegjëse shëndetësore, e pastaj të inforjmojnë publikun, duke mundësuar kështu plasimin e vërtetë dhe të pagabuar të gjendjes faktike në opinionin publik, që besojmë se është qëllim i tyre, duke respektuar punën ekstrem të madhe të stafit mjekësor dhe duke kultivuar gazetarinë e mirëfilltë hulumtuese dhe informuese”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/