Ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi ndërmjetësuesin e BE-së në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë, Miroslav Lajçak, se është pozicionuar kundër Kosovës, për çka ky i fundit iu kundërpërgjigj Kurtit.
Lajçak, duke folur në një panel që i dedikohet të ardhmes së Ballkanit Perëndimor, është pyetur për këto akuza, për të cilat tha: “E dini, kur s’ju pëlqen mesazhi provoni ta sulmoni lajmëtarin. Kështu funksionon”.
Tutje, Lajçak u shpreh se dialogu nuk ka alternativë dhe se palët duhet të rikthehen sërish në tavolinën e bisedimeve.
“Dialogu ka qenë këtu prej viti 2011. Ka pasur qeveri të ndryshme në Serbi e Kosovë. Përfaqësues të ndryshëm nga BE-ja, dhe dialogu është vendi i vetëm, sepse fakti është i thjeshtë: s’ka të ardhme evropiane pa normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Lajçak. /Telegrafi/