int(1) Qeveria nxjerr në shitje veturat e tepërta (Video) - Telegrafi
Site icon Telegrafi

Qeveria nxjerr në shitje veturat e tepërta (Video)

Brenda shtatorit të këtij viti, Qeveria e Kosovës do t’i nxjerrë në shitje një numër të madh veturash, si pjesë e vendimit për ulje të numrit të veturave në përdorim, raporton KTV. Zyrtarë të Qeverisë kanë thënë se është duke u respektuar vendimi për mosblerje të veturave të reja. Por, në buxhetin e rishikuar, KTV-ja ka gjetur të paktën tri raste në vlerë prej mbi 150 mijë eurosh që janë ndarë për blerje të veturave të reja.

200 automjete, pronë e institucioneve të Kosovës, do të dalin në shitje në shtator të këtij viti. Shitja e tyre do të bëhet nëpërmes ankandit publik, por për to nuk është vendosur nëse do të ketë çmim fillestar të shitjes.

Zyrtarë të Qeverisë kanë bërë të ditur se më së shumti vetura për shitje do të ketë ajo e Ministrisë së Punës dhe e Mirëqenies Sociale.

Ministri i Punës, Arban Abrashi, ka thënë se vlera e kursimeve të buxhetit nga shitja e tyre do të arrijë në rreth 1 milion euro.

Sipas tij, me vendimin e marrë për këtë vit nuk do të ketë asnjë veturë të re të blerë. Mirëpo, një deklarim të tillë e demanton pikërisht buxheti i rishikuar i vendit.

Ministria e Jashtme do të blejë vetura në vlerë prej 60 mijë eurosh për ambasada, për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve (25 mijë) dhe Prokuroria e Shtetit (106 mijë euro).

Çështja e veturave dhe përdorimi i tyre ka ngritur vëmendjen e qytetarëve, të cilët po monitorojnë shfrytëzimin e parasë së tyre nga qeveritarët, transmeton koha.net.

Por, mënyra se si voziten veturat zyrtare është shkak që nuk u zgjon interesim qytetarëve për t’i blerë, edhe nëse shkojnë në ankand.

Në rrjetet sociale ka nisur një lloj fushate për plasimin e fotografive të veturave zyrtare, kudo që ato hasen, duke u shfrytëzuar jashtë orarit të punës, në vikend apo edhe jashtë vendit.

 

Exit mobile version