Site icon Telegrafi

Qeveria ndan 300 euro në muaj për familjet e policëve të rënë në detyrë

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka marr vendim që t’i ndajë 15 mijë euro për familjen e policit të vrarë, Sami Thaqi dhe 10 mijë për dy policët e plagosur në Zhur të Prizrenit.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës po ashtu u vendos që familjeve të policëve të rënë në detyrë t’u jepet një shumë prej 300 eurosh çdo muaj.

“Propozoj që të ndahen mjete financiare në shumë prej 300 euro për të gjitha familjet si mjete shtesë si pagë mujore për familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës, obligohet policia e Kosovës me MPB dhe Ministria e financave që ta zbatoj këtë vendim. Ata marrin 70 për qind të pagës, dhe me këtë shtesë ne i respektojmë familjet e policëve të rënë në krye të detyrës”, tha Haradinaj.

Lexo po ashtu Heronjtë e vendit, këta janë 21 pjesëtarët e Policisë së Kosovës që humbën jetën në krye të detyrës

Haradinaj sot gjatë ditës ka vizituar Policinë e Kosovës, ku takoi drejtorin Rashit Qalaj si dhe policin e plagosur Artur Mrasori, i cili po trajtohet në QKUK.

Rasti i fundit i vrasjes së policit Sami Thaqi, çoi në 21 numrin e policëve që kanë vdekur në uniformën e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version