Telegrafi

Qeveria Mustafa, me propozim-buxhet të Qeverisë Thaçi

Qeveria e re e udhëhequr nga Isa Mustafa e ka pasur mundësinë që ta rishqyrtojë buxhetin që Qeveria Thaçi e ka dorëzuar në Kuvend më 1 nëntor, sipas afatit ligjor. Për një mundësi të tillë ka folur deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, pak ditë para zgjedhjes së Qeverisë së re.

“Kuptohet që çdo qeveri e re kur vjen e rishqyrton buxhetin. Mund ta shqyrtojë prapë Qeveria e re dhe ta dorëzojë në Kuvend brenda afatit, domethënë brenda janarit dhe shkurtit buxheti duhet të jetë i miratuar”, ka thënë ajo.

Por, Qeveria Mustafa ka vendosur që të vazhdojë me të njëjtin projektbuxhet.

Kryeministri Isa Mustafa, në një intervistë për Reuters menjëherë pas zgjedhjes në krye të Qeverisë ka thënë se do të kërkojë miratimin e buxhetit të cilin e ka përgatitur qeveria e Thaçit, ndërsa brenda disa muajsh buxheti do të rishikohet.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, e thotë se ndryshimet më vonë nuk mund të jenë të mëdha.

“Rishikimi nuk do t’i ndërrojë kornizat buxhetore, por vetëm brenda buxhetit mund të ketë lëvizje prej një prioriteti në prioritet tjetër. Dhe, tek e fundit mos të harrojmë se ne mund të themi Qeveria e Isa Mustafës, por kjo është Qeveri e koalicionit, do të thotë që edhe ky buxhet shkon në pajtueshmëri ndërmjet dy partnerëve në koalicion”, tha Rexhepi për Radio Kosovën.

Rexhepi thotë se projektbuxheti duhet të miratohet me procedurë të përshpejtuar, ngase mund të dalin probleme qysh në fillim të vitit të ardhshëm.

“Nëse buxheti nuk miratohet, madje me një procedurë të përshpejtuar, atëherë ka rrezik që qysh në ditët e para të vitit të ardhshëm të ketë problem rreth pagesave. Kështu që unë pres që buxheti do të miratohet me një procedurë të përshpejtuar në mënyrë që me 31 janar të dekretohet nga presidentja”, tha Rexhepi.

Ndryshe, as kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar, nuk e përmendi fare çështjen e buxhetit për vitin 2015. /RK/