Site icon Telegrafi

Qeveria miraton kërkesën për buxhet edhe për muajin mars

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që propozimi për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars t’i dërgohet Kuvendit për miratim.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Bisnik Bislimi ka kërkuar para anëtarëve të kabinetit qeveritar që të ndahen këto mjete në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e pagesës së detyrimeve.

“Në këtë mbledhje të Qeverisë paraqes kërkesën për ndarjen e buxhetore edhe për muajin mars për të siguruar vazhdimësinë buxhetore. Nga vlerësimet e MFT-së, konstatojmë se ndarja 1/6 nuk është e mjaftueshme për pagesën e pagave dhe shpenzimeve, kërkojmë alokimin e mjeteve”, tha Bislimi, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas mbledhjes së Kryesisë, javën e kaluar kishte deklaruar se mbetet të shihet, a do të zgjatet buxheti aktual edhe për muajin mars, apo të votohet ai për këtë vit.

“Në qoftë se në seancën e radhë që shpresojmë që do të mbahet ditën e enjte që vjen, do ta trajtojmë vetëm kërkesën buxhetore për muajin mars apo do ta vendosim në rend dite në tërësi, ku varet nga vendimi i qeverisë që do të merret këto ditë”, kishte thënë Osmani.

Lexo po ashtu Osmani: Jemi në pritje të kërkesës së qeverisë se si do të procedohet me buxhetin 2020

Me autorizimet ligjore, Ministria e Financave në qeverinë e kaluar pati bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e mjeteve për organizatat buxhetore për dy muajt e parë të vitit 2020.

Kurse për muajin mars, vetëm Kuvendi mund të vendosë për vazhdimin e këtij vendimi apo zgjatjen e ndarjeve buxhetore. Kjo është koha përfundimtare e lejuar për shpenzim buxheti dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020.

Pas kësaj date, Kosova futet në krizë buxhetore, pasi asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore. /Telegrafi/

Exit mobile version