Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimet e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për dhënien e tokave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit disa komunave.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur këtë të shtunë.
Bëhet fjalë për komunat: Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Hani i Elezit.
Kryeministri Albin Kurti tha se pronat duhet t’i kthehen AKP-së dhe se “kthimi i ligjshmërisë aty ku kërkohet është i pakompromis”.
Ndërsa, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se ky vendim tani iu mundëson komunave që të mos kenë problem me ligjshmërinë e këtyre vendimeve.
“Ishte një vendim që ka të bëjë me ligjshmërinë e komunave, do të thotë është anuluar një vendim i ish-qeverisë gjatë vitit 2018, për shkak se është e pamundur të implementohet. Kjo pasi që gjatë vitit 2019 është shfuqizuar ligji për dhënien e pronës komunale, në shfrytëzim dhe këmbim. Tash e ka pamundësuar implementimin e vendimeve në mbledhjen e 55-të qeverisë në vitin 2018 dhe kjo tash i mundëson komunave që mos të kenë probleme me ligjshmërinë e këtyre vendimeve”, është shprehur Krasniqi./Telegrafi/