Qeveria e Kosovës në mbledhjen që do të mbaj sot pritet të kërkoj nga Kuvendi zgjatjen e ndarjeve buxhetore deri në muajin mars.
Sipas paralajmërimit, kjo do të bëhet pasi që qeveria është në fazën e përgatitjes së buxhetit për vitin 2020, shkruan Telegrafi.
Seanca e radhës e Kuvendit që është paralajmëruar të mbahet të enjten, ku pritet të miratohen komisionet parlamentare që të procedohen vendimet, pritet të hynë në rend të ditës edhe kjo zgjatje buxhetore.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas mbledhjes së Kryesisë, javën e kaluar kishte deklaruar se mbetet të shihet, a do të zgjatet buxheti aktual edhe për muajin mars, apo të votohet ai për këtë vit.
“Në qoftë se në seancën e radhë që shpresojmë që do të mbahet ditën e enjte që vjen, do ta trajtojmë vetëm kërkesën buxhetore për muajin mars apo do ta vendosim në rend dite në tërësi, ku varet nga vendimi i qeverisë që do të merret këto ditë”, kishte thënë Osmani, përcjell Telegrafi.
Me autorizimet ligjore, Ministria e Financave në qeverinë e kaluar pati bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e mjeteve për organizatat buxhetore për dy muajt e parë të vitit 2020.
Kurse për muajin mars, vetëm Kuvendi mund të vendosë për vazhdimin e këtij vendimi apo zgjatjen e ndarjeve buxhetore. Kjo është koha përfundimtare e lejuar për shpenzim buxheti dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020.
Pas kësaj date, Kosova futet në krizë buxhetore, pasi asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore. /Telegrafi/