Për raportimet në media rreth një kontrate të Ministrisë së Integrimit me një kompani me seli në Paris lidhur me formësimin e një mendimi evropian në favor të asaj që përshkruhet si “pozicioni i Kosovës” që mbështet “modifikimin territorial”, ka reaguar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj.
Nitaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se lajmet se Ministria e Integrimeve paska paguar një kontratë ku do të lobohej për të ashtuquajturin “modifikim territorial” që në shqip i bie shkëmbim territoresh, dëshmon se sa i madh ka qenë fronti për copëtimin e Kosovës.
“Lajmet se Ministria e Integrimeve paska paguar një kontratë ku do të lobohej për të ashtuquajturin ‘modifikim territorial” që në shqip i bie shkëmbim territoresh, dëshmon se sa i madh ka qenë fronti për copëtimin e Kosovës, të cilin e ka kundërshtuar i vetëm Ramush Haradinaj. Ministria është autonome në lidhjen e kontratave të lobimit dhe mos provoni që këtë ta lidhni me emrin e Ramush Haradinajt. Nëse lajmi është i saktë, mund të thoni se dikush ia paska ‘pi duhanin fshehtë’ por për ju që kuptoni e provoni të shkruani shqip, po të mos ishte Ramushi me aleatë, toka e Kosovës sot do të ishte e copëtuar!”.
Lidhur me këtë kontratë ka reaguar mbrëmë edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila ka thënë se qeveria e mëparshme në Kosovë ka shpenzuar paratë e taksapaguesve për të lobuar për modifikim të territorit të vendit.
Osmani shkruan në Twitter, se disa persona nga ajo Qeveri po duan të kthehen përsëri, megjithëse siç shkruan ajo ata “ishin në krye të këtij turpi”.
Kryetarja e Kuvendit ka thënë se personat e tillë kanë dashur të shpërblejnë Serbinë me territor të Kosovës, për veprimet gjenocidale që ka bërë kundër popullit të Kosovës.
“Qeveria e mëparshme shpenzoi paratë e taksapaguesve për të lobuar ‘modifikimin e territorit’, do të thotë, për të ‘shpërblyer’ Serbinë me territorin e Kosovës, për veprimet e saj gjenocidale kundër popullit tonë. Disa nga ata që ishin në krye të këtij turpi dëshirojnë të kthehen dhe të na qeverisin përsëri”, shkruan Osmani.
Ndryshe, në media është raportuar se në vitin 2019, taksapaguesit e Kosovës kanë alokuar shumën prej 168,000 eurosh për një kompani marrëdhëniesh me publikun të quajtur ‘Majorelle PR & Events’ me seli në Paris përmes Ministrisë së Integrimeve Evropiane.
Mes tjerash thuhet se kompania ishte e ngarkuar të formësojë një mendim evropian në favor të asaj që përshkruhet si “pozicioni i Kosovës” që mbështet “modifikimin territorial” si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/