Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq më 6 shkurt do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, me ftesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, kurse lidhur me qëllimin e vizitës ka folur këshilltari politik i kryeministrit malazez.
Këshilltari i kryeministrit të Malit të Zi dhe shefi i zyrës të Qeverisë për marrëdhënie me publikun, Srgjan Kusovac, ka treguar për Telegrafin qëllimin e vizitës në Kosovë të kryeministrit malazez, Dushko Markoviq.
I pyetur nëse vizita e kryeministrit Markoviq ka të bëjë me demarkacionin dhe gjetjen e një kompromisi lidhur me Marrëveshjen e demarkacionit mes dy shteteve, Kusovac nuk ka dashur të komentojë, duke thënë se është një vizitë e rregullt.
“Bëhet fjalë për një vizitë të rregullt bilaterale dhe të rëndësishme, meqë kemi të bëjmë me dy vende fqinje dhe mike”, tha Kusovac për Telegrafin.
Vizita e kryeministrit malazez ndodh në një kohë kur Kuvendi i Kosovës pritet të deklarohet përfundimisht rreth Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila është nënshkruar në vitin 2015.
Këtë marrëveshje Kuvendi i Mali i Zi e ka ratifikuar, por jo edhe ai i Kosovës.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kryeministri malazez do të zhvillojë takime me kryeministrin Ramush Haradinaj, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.
Gjatë takimeve me kryeministrin malazez pritet të diskutohet edhe për planifikimin e mbajtjes së një mbledhje të përbashkët mes qeverive të Kosovës dhe Malit të Zi. /Telegrafi/