Ditën e sotme u mbajt takimi i dymbëdhjetë i Komisionit për Planifikim Strategjik, në të cilin krahas Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, si dhe ministra, zëvendësministra, anëtarë të kabineteve qeveritare, si dhe drejtues të zyrave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive të linjës.
Në këtë takim u diskutua rreth përgatitjeve për financim të projekteve infrastrukturore të vendit, nga fondet e BE-së dhe të partnerëve të tjerë zhvillimorë.
Me këtë rast, Kryeministri Kurti theksoi se gjatë tri viteve të fundit kemi aplikuar me sukses me shumë projekte infrastrukturore për financim, përderisa planifikimi i mirë dhe hartimi i listës prioritare, tani merr rëndësi edhe më të madhe, në kontekst të Planit të Rritjes së BE-së, nga i cili Kosova pritet të përfitojë afro 1 miliard euro. Ai edhe përmendi aplikimet e Kosovës të miratuara përgjatë kësaj periudhe nga Bordi Operacional i WBIF, duke mundësuar përfitimin e granteve në vlerën totale prej 57.6 milionë euro.
“Javën e kaluar patëm takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku diskutuam edhe për Agjendën e Reformave, një dokument kryesor për detyrimet e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Kryerja e reformave në të gjithë sektorët dhe fushat, që matet me treguesit e Agjendës së Reformave, është e lidhur drejtpërdrejtë me vëllimin e përfitimit të fondeve të Planit të Rritjes që realizohen përmes WBIF”, u shpreh Kryeministri.
Ndërkaq, ministritë e linjës prezantuan listat prioritare në fushën e mjedisit, transportit dhe energjisë, ndërsa zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se qëllimi i kësaj liste në radhë të parë është t’i prioritizojmë projektet me të cilat pastaj ne aplikojmë në instrumentet për financim të ofruara nga Bashkimi Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe po ashtu tregon synimet tona investive në infrastrukturë.
Përgjatë kësaj mbledhjeje u votuan dhe Grupet Punuese Sektoriale (GPS) për përzgjedhjen e projekteve që do të përfshihen në kuadër të Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore për sektorin social dhe infrastrukturën digjitale.