Islanda ka qenë tradicionalisht ambivalente për anëtarësimin në BE, por çështje si kriza financiare e vitit 2008, Brexit dhe një sërë çështjesh të brendshme kanë bërë që vendi po ngrohet ngadalë ndaj idesë së anëtarësimit.
Qeveria e re e Islandës ka thënë se synon ta vendosë çështjen e anëtarësimit në BE në një referendum deri në vitin 2027, transmeton Telegrafi.
Administrata e ardhshme e kryeministres Kristrún Frostadóttir, e cila merr detyrën sot, tha gjithashtu se do të ngrejë një panel ekspertësh për të shqyrtuar avantazhet dhe disavantazhet e mbajtjes së kurorës islandeze ndaj adoptimit të euros.
“Ne ramë dakord që të miratohet një mocion në parlament, duke deklaruar se do të kemi një referendum për vazhdimin e bisedimeve të pranimit të Islandës në Bashkimin Evropian dhe që ky referendum të mbahet jo më vonë se 2027”, tha Ministrja e Jashtme e ardhshme, Þorgerður Katrín Gunnarsdóttir.
Gunnarsdóttir kryeson gjithashtu partinë pro-BE, Reforma Liberale dhe pritet gjerësisht të drejtojë çdo bisedim pranimi.
Sipas një sondazhi të kryer nga kompania e kërkimit të tregut Maskína në qershor, mbështetja për anëtarësimin në BE midis popullsisë së Islandës po rritet.
Ky sondazh zbuloi se pak më shumë se 54 për qind e të anketuarve ishin në favor të bashkimit me bllokun, me shumicën që thanë se mendonin se familjet do të ishin më mirë financiarisht si pjesë e BE-së.
Kjo është një lëvizje e rëndësishme në favor të anëtarësimit të një vendi, që në përgjithësi ka qenë ambivalent për anëtarësimin në BE.
Në punimin e tij ‘Opinioni publik mbi BE-në në Islandë që nga viti 1980’ botuar nga Universiteti Aarhus i Danimarkës, Ragnar Auðun Árnason tha se për pjesën më të madhe të viteve të 80-ta dhe 90, Islanda ishte e ndarë gjerësisht në tre kampe të barabarta në lidhje me anëtarësimin në BE; pro, kundër dhe të pavendosur. /Telegrafi/