Rezultatet e zgjedhjeve në shtetet evropiane do të dalin shumë shpejt pasi qendrat e votimit në 21 vende anëtare kanë filluar të mbyllen, duke konfirmuar një avantazh të së djathtës.
Bëhet e ditur se zgjedhjet që u zhvilluan gjatë katër ditëve janë votimi më i madh transkombëtar në botë me rreth 360 milionë qytetarë të BE-së që u është kërkuar të japin votat e tyre për të zgjedhur 720 anëtarë të Parlamentit Evropian.
Italia do të jetë vendi i fundit që mbyll kutitë e votimit në orën 23:00, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
E siç raportohet, sondazhet parashikojnë fitore historike për partitë radikale të krahut të djathtë.
Një rezultat i tillë mund të ndryshojë balancën e fuqisë në institucionin e vetëm të zgjedhur në mënyrë demokratike të BE-së dhe t’u japë forcave të krahut të djathtë më shumë ndikim se kurrë në politikat e BE-së.
Gjithashtu do të kuptohet se kush e merr drejtimin e institucioneve evropiane në Bruksel, duke përfshirë Komisionin dhe Këshillin, me zgjedhjet e vendosura për të nxitur një garë për postet kryesore të BE-së.
Deri më tani, sondazhet kanë vënë partinë e qendrës së djathtë CDU në krye të Gjermanisë dhe Partinë e Lirisë së ekstremit të djathtë FPÖ në Austri.
Elektorati holandez votoi më 6 qershor, me partinë e krahut të djathtë PVV që doli si fituesja më e madhe bazuar në exit poll.
Ndryshe, zedhjet janë dëmtuar nga dhuna, pasi kryeministrja daneze pësoi një sulm në Kopenhagë të premten më 7 qershor menjëherë pas një fushate.
Mediat sllovake kanë raportuar gjithashtu rezultate paraprake që sugjerojnë se Sllovakia Progresive social-liberale ka mposhtur partinë populiste Smer të kryeministrit Robert Fico. /Telegrafi/