Telegrafi

Qendra “Jeta Vita” me kushte të pafavorshme për gratë e prekura nga kanceri – bëhet thirrje për mbështetje materiale

Në vazhdën e muajit tetor, të njohur ndërkombëtarisht si “muaji rozë” dedikuar grave të prekura me kancer të gjirit, po shënohen aktivitete të shumta në mbështetje të femrave që përballen me këtë betejë.

Udhëheqësja e kompanisë së njohur të marketingut në vend, “B IDEAS”, Blerina Mati, në bashkëpunim me trajneren e fitnesit “Tifit Group”, Doruntina Arifi, do të organizojnë një ditë të plotë me aktivitet fizik dhe biseda të lira me gratë e prekura nga kanceri i gjirit.

Lexo po ashtu Vera Ora: Beteja ime me kancerin e gjirit - Rita dhe e gjithë familja ishin një mbështetje e madhe për mua

Ky aktivitet do të zhvillohet pas datës 26 tetor në Qendrën “Jeta Vita”, qendër kjo e cila njihet për edukimin dhe mbështetjen që iu ofron grave të prekura nga kanceri i gjirit. “B IDEAS” ka shprehur dëshirën që bashkë me gratë e Qendrës, të realizojmë forume të tilla në përkrahje të tyre, për t’iu kujtuar atyre që nuk janë të vetme në këtë rrugëtim.

Foto: Jeta Vita/Facebook

Në një bisedë për Telegrafin, Blerina ka treguar rreth vizitës që ka zhvilluar në këtë qendër, dhe pakënaqësitë e ndjera me gjendjen e saj – një temë kjo, të cilën ajo e shtjelloi edhe në emisionin “Radar” të RTV Dukagjini.

“Është një temë që ne e zhvilluam edhe sot (e enjte), ku ishim të ftuara në emisionin “Radar” në RTV Dukagjini, dhe shpalosëm gjendjen e Qendrës “Jeta Vita”, e cila kishte nevojë për ndihmë në aspektin material. Duke e konsideruar si qendër të vetme në Kosovë për një qëllim të tillë, ne e kemi parë të arsyeshme që përmes daljeve të tilla në mediume, të bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë vullnet të mirë, që të ndihmojnë në mënyrat e veta”, ka thënë Blerina Mati për Telegrafin.

Tutje, ajo vazhdoi të vërë në dukje që ndihmesa e institucioneve të shtetit për qendrën në fjalë, është në nivel jo të kënaqshëm.

“Shteti ka kontribuuar me ndarjen e zyreve përkatëse për qendrën në fjalë, pasi ka mungesë të materialeve për punë dhe zhvillim të aktiviteteve, me pak fjalë ka nevojë të përkrahet nga ne si shoqëri, pasi vetëm në këtë mënyrë arrijmë të sigurojmë mbështetje për gra të tilla”, ka thënë tutje Mati.

Ndaj çdokush që e ndjen të tepërt prezencën e ndonjë rafti, mobilje apo diç e tillë që mund të shërbejë edhe për zhvillim të aktiviteteve administrative, janë të lirë dhe të mirëpritur që t’i dhurojnë ato te qendra, për të ndihmuar në plotësimin e kushteve të saj.

Lexo po ashtu Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit – Telegrafi me kampanjë vetëdijësuese

Mund të kontribuohet edhe me një paruke apo flokë të shëndetshëm nga gratë, që duan t’i dhurojnë për femrat që trajtohen me kimioterapi.

Ndërkohë, sipërmarrëset Blerina Mati e Doruntina Arifi, dy vajza plot motiv dhe jetë për t’iu dalë në ndihmë femrave me këtë sëmundje, do të jenë prezente edhe në ecjen e dedikuar grave të prekura nga kanceri i gjirit, e që këtë vit zhvillohet më 26 tetor, në Sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë me fillim nga ora 12:00.

Për të kontribuuar në dhurimin e donacioneve për të ndihmuar qendrën “Jeta Vita”, kontaktoni në numrin 044-145-530. /Telegrafi/