Në Serbi kanë filluar reagimet e para pas zgjedhjes së Albin Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës.
Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq ka shkruar në Twitter se Albin Kurti as që po dëshiron të dëgjojë për themelimin e Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe në Kosovë.
Ndërsa drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli thotë se këto deklarata nga pala serbe janë për konsumim të brendshëm politik.
“Kurti sa i përket Asociacionit është duke zbatuar atë që e thotë Kushtetuta e Kosovës. Serbia duhet ta kuptojë se me Albin Kurtin negocimi nuk do të jetë i njëjtë si më parë”, deklaroi Sheholli për RTV Dukagjinin.
Gazetari shqiptarë që vepron në Serbi, Idro Seferi thotë se emri i Albin Kurtit nuk është i dëshirueshëm për Aleksandar Vuçiqin, përcjell telegrafi.
“Kur e kam intervistuar Presidentin serb para një viti, kur e kam pyetur për Albin Kurtin ai ka shfaqur një lloj nervozizmi pasi nuk i pëlqente të diskutonte për të. Natyrisht se edhe për liderët tjerë Vuçiqi është shprehur se nuk janë të kuptueshëm dhe bashkëpunues për bisedime”.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kishte njoftuar se disa pjesë të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbë në Kosovë bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës./Telegrafi/