Telegrafi

Putini tani “ua ka vënë syrin” studentëve dhe të papunëve, premton shpërblime në para për të luftuar në Ukrainë

Rusia ka nisur një fushatë të re duke kërkuar vullnetarë për të plotësuar trupat e vendit për luftën në Ukrainë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, reklamat premtojnë shpërblime në para dhe përfitime të tjera dhe zyrat e regjistrimit po punojnë me universitetet dhe agjencitë e shërbimeve sociale për të joshur studentët dhe të papunët.

Ndërsa luftimet vazhdojnë në fushat e betejës ukrainase si Bakhmut dhe të dyja palët përgatiten për kundërsulme që mund të kushtojnë edhe më shumë jetë, makineria e luftës e Kremlinit ka shumë nevojë për rekrutë të rinj.

Lexo po ashtu Vjen reagimi edhe nga Ukraina pas njoftimit të Putinit se Rusia do të zhvendosë armë bërthamore taktike në Bjellorusi

Një mobilizim në shtator i 300,000 rezervistëve – i vlerësuar si një thirrje “e pjesshme” – shkaktoi panik në të gjithë vendin, pasi shumica e burrave nën 65 vjeç janë zyrtarisht pjesë e rezervës.

Ndërkohë dhjetëra mijëra njerëz u larguan nga Rusia në vend që të raportoheshin në stacionet e rekrutimit.

Kremlini ka mohuar që një thirrje tjetër është planifikuar për atë që e quan “operacioni i tij special ushtarak” në Ukrainë.

Por, një burrë në Moskë i tha Associated Press se punëdhënësi i tij, një organizatë e financuar nga shteti, mblodhi kartat e regjistrimit ushtarak të të gjithë punonjësve meshkuj të moshës luftarake. /Telegrafi/