Presidenti rus Vladimir Putin mbeti i “shokuar” nga rebelimi i mercenarëve të grupit Wagner pavarësisht se u paralajmërua se një gjë e tillë do të ndodhte, sipas dokumenteve të rrjedhura të inteligjencës.
Washington Post raporton se ka parë dokumente zyrtare që sugjerojnë se shërbimet ruse të sigurisë kanë paralajmëruar Putinin se shefi i Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, me gjasë po planifikonte një rebelim, dy ose tre ditë përpara se të fillonte, transmeton Telegrafi.
“Putini kishte kohë për të marrë vendimin për të likuiduar [rebelimin] dhe për të arrestuar organizatorët”, tha për The Post, një zyrtar evropian i sigurisë, i cili dëshironte të mbetej anonim
“Pastaj kur filloi të ndodhte, kishte paralizë në të gjitha nivelet. Kishte shqetësim dhe konfuzion absolut. Për një kohë të gjatë, ata nuk dinin si të reagonin”.
Dokumentet e inteligjencës thonë se pavendosmëria e Putinit tregon frikën e tij për t’iu kundërvënë një komandanti lufte si Prigozhini.
Pretendimet mbështesin komentet e javës së kaluar nga kreu i CIA-s, William J. Burns, i cili sugjeroi se ushtria ruse, shërbimet e sigurisë dhe zyrtarët “dukeshin të humbur” ndërkohë që kryengritja ishte në zhvillim e sipër.
Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, mohoi pretendimet e që Putini ishte ‘shokuar’ duke thënë për Washington Post se ato janë bërë nga “njerëz që kanë zero informacion”. /Telegrafi/