Telegrafi

Putini ia kthen shpinën ministrit të tij të Mbrojtjes, Sergei Shoigu – pamje që tregojnë se “nuk duhet të jesh ekspert për të kuptuar raportet mes tyre”

Presidenti rus Vladimir Putin u duk se i dha ministrit të tij të mbrojtjes, Sergei Shoigu, “një shuplakë të ftohtë” në një moment që tanimë është bërë viral.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, të hënën, të dy shkuan në spitalin ushtarak Vishnevsky të Moskës për t’i dhënë medalje ushtarëve që ishin plagosur në agresionin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Kremlini.

Dhe reagimi ndaj Shoigut dukej se ilustron zhgënjimet e përgjithshme ruse me ushtrinë e vendit dhe performancat e saj, ose mungesën e saj, në Ukrainë.

Siç shihet në pamje, ata marshuan në spital dhe ndërsa Shoigu u pozicionua në anën e trupave të ulura, presidenti shkoi të shtrëngonte duart me secilin prej ushtarëve.

Më pas, Putin ia ktheu shpinën Shoigut, i cili u zhvendos drejt presidentit për të thënë diçka.

Megjithatë, pasi pa Shoigun, Putini u kthye me shpejtësi në të majtë, duke e lënë ministrin e tij të mbrojtjes të reagojë në mënyrë të sikletshme.

“Nuk duhet të jesh ekspert i gjuhës së trupit për të kuptuar se çfarë mendon aktualisht Putini për ministrin e tij të mbrojtjes Sergei Shoigu”, shkroi në Twitter analisti i politikës së jashtme me bazë në Kiev, Jimmy Rushton.

Një figurë e shquar në politikën ruse pas rënies së BRSS, Shoigu u bë ministër i situatave emergjente në vitet 1990, një post të cilin e mbajti deri në vitin 2012. Më pas u emërua ministër i mbrojtjes, edhe pse megjithë medaljet që mban, ai nuk kishte përvojë ushtarake.

Ndërsa nuk është e qartë nëse dyshja kanë ftohur raportet, Shoigu është kritikuar ashpër nga blogerët ushtarakë rusë dhe të tjerë për menaxhimin e tij të luftës në Ukrainë. /Telegrafi/