Telegrafi

Putini e shtyu fillimin e agresionit tri herë – thotë inteligjenca ukrainase

Një zyrtar i inteligjencës ukrainase ka pohuar se Vladimir Putin e shtyu fillimin e agresionit mbi Ukrainë tri herë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Vadym Skibitsky, nënkryetari i Shërbimit Informativ të Mbrojtjes të Ukrainës, tha në një intervistë për gazetën gjermane Bild: “Bazuar në informacionin që kemi mbledhur, ky operacion ushtarak është shtyrë tri herë”.

Dhe sipas tij, “shtyrja e fundit ka ndodhur në mes të shkurtit”.

Rusia nisi agresionin e saj në Ukrainë më 24 shkurt, megjithëse nuk është e qartë se cilat data të tjera kishte planifikuar fillimisht.

Skibitsky citohet të ketë thënë më tej se Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) ishte kyç në bindjen e presidentit rus dhe zyrtarëve ushtarakë për të dërguar trupa në Ukrainë.

Më parë, planet e pushtimit të siguruara nga The New York Times zbuluan se trupat ruse ishin urdhëruar të ndodheshin në periferi të Kievit 13 orë pas fillimit të pushtimit.

Por në realitet, plani i Putinit për të pushtuar kryeqytetin në shkurt dështoi dhe 10 muaj pas luftës, Kievi ende kontrollohet nga forcat ukrainase.

New York Times raportoi se planet e pushtimit urdhëruan gjithashtu trupat të shkojnë me shpejtësi qindra kilometra nëpër Ukrainë nga drejtime të shumta.

Që nga shkurti, Rusia ka pësuar një sërë pengesash në betejat në Ukrainë, duke rezultuar në tërheqje nga zonat përreth Kievit, Kharkiv dhe së fundmi nga qyteti i Kherson, duke bërë që Putini të thërrasë rezervistët. /Telegrafi/