Site icon Telegrafi

“Putini duhet të humbasë”: Zelensky mbërrin në SHBA në përpjekje ‘për të shpëtuar’ paketën e ndihmës prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka udhëtuar në Uashington DC në një përpjekje për të shpëtuar një paketë kritike ndihme ushtarake prej 61 miliardë dollarësh.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Zelensky do të takohet të martën me presidentin amerikan, Joe Biden, si dhe me senatorët amerikanë dhe kryetarin e Dhomës Republikane, Mike Johnson, në një kohë kur Kongresi po ndalon mbështetjen e ardhshme financiare amerikane për përpjekjet luftarake të Kievit.

Menjëherë pas mbërritjes në kryeqytetin amerikan, Zelenskiy tha se Ukraina po llogariste në SHBA dhe se vonesat në raundet e ardhshme të ndihmës ushtarake ishin “ëndrra të realizuara” për presidentin rus, Vladimir Putin.

“Putini duhet të humbasë”, tha Zelensky në një fjalim në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington DC.

“Ju mund të mbështeteni tek Ukraina dhe ne shpresojmë po aq shumë të jemi në gjendje të llogarisim te ju”.

Udhëheqësi ukrainas u prit nga sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili paralajmëroi se ekzistonte një rrezik në dështimin për të ofruar mbështetje financiare afatgjatë për Kievin.

“Nëse nuk i kundërvihemi agresionit të Kremlinit sot, nëse nuk i pengojmë agresorët e tjerë të mundshëm, ne vetëm do të kemi më shumë agresion, më shumë gjakderdhje dhe më shumë kaos”, tha Austin. /Telegrafi/

Exit mobile version