Telegrafi

Putin: Rusia është e gatshme të negociojë për paqen me Ukrainën

Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se Moska është e gatshme të diskutojë të ardhmen e Ukrainës me ukrainasit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën, por se Rusia do të mbrojë interesat e saja kombëtare.

“A duan të negociojnë ata që janë agresivë ndaj Rusisë në Ukrainë, Evropë dhe SHBA? Ne do ta bëjmë atë bazuar në interesat tona kombëtare”, tha Putin në një takim me udhëheqjen ushtarake.

Ne nuk do të heqim dorë nga ajo që është e jona, pohoi lideri rus, me mesazhin se rusët nuk e kanë ndërmend të luftojnë me Evropën.

“Ne nuk do të heqim dorë nga qëllimet e operacionit special ushtarak”, shtoi udhëheqësi i Rusisë, raporton reuters.

Sipas tij, industria ruse e mbrojtjes reagon më shpejt se ajo perëndimore dhe Moska do të vazhdojë të përmirësojë forcat e saja bërthamore dhe të ruajë gatishmërinë luftarake në një nivel të lartë.

Putin tha se anëtarësimi i Ukrainës në NATO “nuk është i pranueshëm për Rusinë as pas 10 apo 20 vjetësh”.

Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu deklaroi se që nga shkurti i vitit 2022, prodhimi rus i tankeve u rrit 5.6 herë, i dronëve 16.8 herë dhe i municioneve artilerie 17.5 herë.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/