Telegrafi

Putin nënshkruan ligjin “për të mbështetur natë e ditë ushtrinë në operacionet jashtë shtetit”

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të enjten një ligj që lejon qeverinë të prezantojë masa të veçanta ekonomike për të mbështetur forcat e armatosura ruse gjatë atyre që Rusia i quan “operacione kundër-terrorizmit dhe të tjera” jashtë vendit.

Siç shkruan CNN, përcjell Telegrafi, me miratimin e masave speciale, kompanitë nuk do të jenë në gjendje të refuzojnë kontratat e qeverisë dhe punonjësit do të duhet të punojnë natën dhe në ditët e festave.

Qeveria mori gjithashtu të drejtën e riaktivizimit të përkohshëm të kapaciteteve dhe objekteve mobilizuese dhe të drejtën për të ç’regjistruar pasuritë materiale të rezervës shtetërore.

Megjithëse qeveria ruse vazhdon të refuzojë përcaktimin e konfliktit në Ukrainë si një luftë, masat e reja në mënyrë efektive nënkuptojnë se vendi po riformëson industrinë e tij në mbështetje të pushtimit të vazhdueshëm.

Të enjten, Putin nënshkroi gjithashtu ligje shtesë që përfshijnë masa më të ashpra për individët ose subjektet që konsiderohen agjentë të huaj nga Rusia dhe zgjerimin e përgjegjësisë penale për dezertimin deri në tradhti të lartë. /Telegrafi/