Presidenti rus Vladimir Putin për herë të parë ka folur haptazi për luftën në Ukrainë, të cilës ai ka dëshirë t’i referohet si “operacion i veçantë ushtarak”.
Gjatë adresimit të tij të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ai mbështeti referendumet në rajonet që kontrollohen nga separatistët pro-rusë dhe që mbështeten nga Kremlini dhe që duan t’i bashkohen Rusisë, transmeton Telegrafi.
Putin madje ka kërcënuar duke thënë se nëse integriteti territorial i vendit të tij rrezikohet në çfarëdo forme, për ta mbrojtur Rusinë dhe popullin e saj do të përdorin të gjitha mjetet që i kanë në dispozicion.
“Nëse integriteti territorial i vendit tonë rrezikohet, për të mbrojtur Rusinë dhe popullin e saj do të përdorim të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion. Nuk është blof. Ju sigurojë edhe një herë se integriteti territorial dhe liria jonë do të mbrohen me të gjitha mjetet që i kemi”, shtoi Putin.
Presidenti rus nuk hezitoi që të kërcënojë të gjithë ata që sipas tij po e shantazhojnë me armë bërthamore – duke thënë se erërat mund të kthehen në drejtim e tyre.
Kjo nuk është hera e parë që Putin po kërcënon të gjithë që mendojnë ndryshe nga ai, dhe po përbën një lloj brenge për botën e civilizuar dhe demokratike. /Telegrafi/