Grindja mes Rusisë dhe Ukrainës zien sërish, bashkësia ndërkombëtare në kërkim të një përgjigjeje. Të hënën Merkel telefonoi me presidentin Putin, ku diskutohet analizimi i incidentit nga ekspertët.
Ukraina ndjehet e kërcënuar nga Rusia dhe ka shpallur të hënën (26.11) ligjin e luftës. Ndërkohë të hënën vonë në mbrëmje, kancelarja Merkel ka telefonuar me presidentin Putin mbi gjendjen në Ukrainë, pas bisedës me presidentin ukrainas, Poroshenko.
“Kancelarja gjermane ka theksuar nevojën e çtensionimit të situatës dhe dialogut”, ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert pas telefonatës së kancelares Merkeli me presidentin rus, Vladimir Putin.
Në telefonatën me Merkel, presidenti Putin ia ka hedhur fajin Ukrainës për përplasen në Detin Azov.
Ai i drejtoi lutje kancelares Merkel që të ndikojë tek qeveria e Kievit të “mos ndërmarrë hapa të tjerë të pamatur”.
Putin e ka vlerësuar situatën si “aksione provokative” të palës ukrainase.
Sipas të dhënave të zyrës së shtypit të kancelares, Merkel dhe Putin kanë diskutuar për opsionin e analizimit të incidentit nga ekspertë të mbrojtjes kufitare nga të dyja palët.
Ndërkohë në Këshillin e Sigurimit, ambasadorja e SHBA-së, Nikki Haley akuzoi Rusinë për “shkelje skandaloze” të sovranitetit ukrainas.
Edhe sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo e kritikoi Rusinë. Ndërsa presidenti Trump u shpreh vetëm, se situata “nuk është e mirë” dhe se ai “nuk është i lumtur” për këtë. /dw/