Gjenerali rus, Sergey Surovikin është liruar zyrtarisht nga detyra pasi thuhet se kaloi javë të tëra në arrest shtëpiak pas dyshimeve se ishte përfshirë në një grusht shteti në muajin qershor së bashku me mercenarët e Wagnerit.
Lajmi u njoftua për herë të parë të martën nga gazetari Alexei Venediktov, i cili u bazua në një dekret presidencial që urdhëronte shkarkimin e Surovikin si komandant i Forcave Ajrore. Dekreti nuk ishte i disponueshëm publikisht.
Disa kanale Telegram pro-Kremlinit ndanë gjithashtu lajmin për shkarkimin e Surovikin, duke shkruar se dekreti i presidentit rus, Vladimir Putin u nënshkrua javën e kaluar, por u mbajt i fshehtë.
Surovikin, i cili shërbeu si zëvendëskomandant i trupave ruse në Ukrainë, nuk është parë në publik që nga 24 qershori, kur ai u filmua teksa i lutej grupit famëkeq rus, Wagner që t’i japin fund kryengritjes së tyre të dhunshme kundër udhëheqjes ushtarake në Rusi, raporton reuters.
Shpejt dolën raporte se ai mund të kishte njohuri paraprake për rebelimin e nisur nga shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, me të cilin ai kishte lidhje të ngushta që nga koha kur ata punonin së bashku në Siri.
Prigozhin, nga ana e tij, kishte lavdëruar në mënyrë rutinore Surovikinim për luftën kundër Ukrainës, edhe pse ai vazhdimisht ka kritikuar drejtuesit e tjerë të lartë ushtarakë.
Surovikin fitoi pseudonimin “Gjeneral Armageddon” gjatë ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në luftën civile të Sirisë.
Tetorin e kaluar ai u vendos në krye të operacioneve ushtarake ruse në Ukrainë, por në janar ai rol iu dorëzua gjeneralit Valery Gerasimov, shefit të shtabit të përgjithshëm, dhe Surovikin u bë zëvendës i Gerasimov. /Telegrafi/