Telegrafi

Putin e pranon se sanksionet po i shkaktojnë probleme Rusisë

Presidenti rus, Vladimir Putin mori pjesë në një takim virtual për të diskutuar çështjet ekonomike dhe të zhvillimit në territoret e Arktikut të Rusisë në Rrugën e Detit të Veriut. Ai iu referua sanksioneve të Perëndimit dhe vuri në dukje se ato janë po aq të dëmshme për vendet evropiane dhe SHBA-në, por se i kanë krijuar probleme edhe Rusisë.

“Zbatimi i projekteve në Arktikun rus nuk duhet të vonohet për shkak të sanksioneve, përkundrazi, shkalla e zbatimit të tyre duhet të shtohet”, tha Putin në një takim mbi zhvillimin e Arktikut.

“Tani, duke marrë parasysh të gjitha llojet e kufizimeve të jashtme dhe presioneve të sanksioneve, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet të gjitha projekteve dhe planeve që lidhen me Arktikun”, shtoi ai.

Në deklaratat e tij, Putin nuk iu referua drejtpërdrejt situatës në Ukrainë, por tha se refuzimi i vendeve perëndimore për të bashkëpunuar me Rusinë, përfshirë burimet energjetike, ishte po aq i dëmshëm për vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, raporton bbc.

Putin akuzoi “vendet armike” për shkatërrimin e zinxhirëve të furnizimit në rajonet e Arktikut të Rusisë dhe tha se disa kombe nuk po përmbushin detyrimet e tyre kontraktuale, gjë që, siç theksoi ai, i krijoi Rusisë probleme.

“Sigurisht, kjo na krijon disa komplikime në situatën aktuale, por ne kemi të gjitha burimet dhe të gjitha mundësitë për të gjetur shpejt një zgjidhje alternative dhe, në planin afatgjatë, për të forcuar më tej pavarësinë tonë nga faktorët e jashtëm”, tha Putin.

Ai vuri në dukje se Rusia lehtë mund të ridrejtojë eksportin e burimeve të saj të mëdha energjetike nga Perëndimi në vendet që kanë nevojë për to, raporton reuters. Ai shtoi se mund të rritet edhe konsumi i brendshëm i naftës, gazit dhe qymyrit, raporton theguardian.

Bashkëpunimi i Rusisë me vendet e tjera të Këshillit Arktik – Kanadanë, Danimarkën, Suedinë, Norvegjinë, Islandën dhe Shtetet e Bashkuara – është pezulluar kryesisht që nga fillimi i luftës në Ukrainë. /Telegrafi/