Të enjten policia e Kosovës ka realizuar një bastisje në dy fshatrat në veri, në Banjskë dhe në Lozhishtë.
Përmes raportit 24-orësh, policia bën të ditur se gjatë bastisjes kanë treguar se në mesin e gjërave të konfiskuar janë edhe disa armë, transmeton Telegrafi.
“Më datë 18.01.2024 Njësiti për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda me vendim të Gjykatës Themelore Prishtinë, kanë bërë kontrollin e shtëpive dhe lokaleve përcjellëse të dy të dyshuarve meshkuj kosovarë, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, dy telefona, një tytë e trombllonit, dy CD, disa dokumente, një bateri e dorës dhe një këllëf i armës”, thuhet në raportin e policisë.
Policia bën të ditur se njësitet relevante janë duke u marrë me rastin.
Ndryshe, bastisjet në veri kanë të bëjnë me barrikadat që janë vendosur në dhjetor të vitit 2022.
Për tri javë me radhë disa nga rrugët e veriut ishin bllokuar nga automjete të rënda.
Barrikadat ishin vendosur pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryer vepra penale terroriste./Telegrafi/