Ka përfunduar nata finale edicionit të 64-të të “Eurovision”.
Holanda u shpall fituese e edicionit të sivjetmë, gjersa Italia u rendit në vendin e dytë dhe Rusia në të tretin.
Pas përfundimit të 26 performancave nga përfaqësuesit e shteteve, erdhi edhe momenti i publikimit të rezultateve nga juria profesionale dhe publiku, të cilët kishin nga 50 për qind të peshës.
Fillimisht u prezantuan votat e jurisë profesionale, të cilat në rezultatin final sollën këtë renditje: Suedia (239 pikë), Maqedonia e Veriut (237 pikë) dhe Holanda (231 pikë).
Megjithëse shumë shtete u treguan profesionale në votim, pati edhe prej atyre që votuan me fqinjësi, duke shkaktuar reagime në publik.
Të tilla ishin Greqia dhe Qipro, të cilët shkëmbyen votat maksimale prej 12 pikëve ndaj njëra-tjetrës, duke bërë që të shkaktohen shumë revoltime dhe të bërtitura në publik, të cilët e panë si politik dhe jo të drejtë votimin e tyre.
Sido që të jetë ishin votat e publikut ato që përmbysën gjithçka, kjo pasi Maqedonia e Veriut përfundoi nga vendi i dytë në të tetin, ndërsa Suedia nga vendi i parë në të gjashtë.
Greqia në renditjen përfundimtare u rendit e 16-ta, ndërsa Qipro e 12-ta.
Përfaqësuesja e Shqipërisë, Jonida Maliqi, përkundër përfaqësimit dinjitoz, grumbulloi në total 90 pikë nga juria profesionale dhe publiku, duke u renditur në vendin e 18-të. /Telegrafi/