Telegrafi

BE publikon videon e takimit Kurti-Vuçiq

Në Bruksel në orën 18:00 ka nisur takimi i përbashkët mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe dy zyrtarëve evropianë, Josep Borrel dhe Miroslav Lajçak.

Pas takimeve me dy liderët, Borrel do të mbajë një konferencë për mediat, ndërkohë faqja zyrtare e BE-së ka publikuar disa pamje nga takimi i Kurtit me Borrellin dhe Lajçakun.

Raportohet se qysh në fillim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

Kjo, njëherësh, ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Nga BE-ja thanë më herët se presin që palët “ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si pikë e parë e rendit të ditës”, dhe që kjo të pasohet me “paraqitjen dhe diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” në Kosovë./Telegrafi/