Shqiptarët me uniforma të ushtrisë zvicerane, pas vendosjes së simboleve shqiptare, kanë zënë përsëri vend në titujt e mediave zvicerane.
Kësaj radhe, bëhet fjalë për një video në të cilën ata shihen duke kënduar me shumë përkushtim këngën “Xhamadani vija vija”, e cila, siç shkruan mediumi zviceran “20 minuten” konsiderohet himni jozyrtar i “Shqipërisë së Madhe”.
Po sipas mediumit në fjalë, përcjell Telegrafi, videoja nën hashtagun #swissarmy tashmë ka marrë qindra pëlqime.
Megjithatë kjo ka nxitur reagime nga përdoruesit e Tiktok, rrjeti social ku është publikuar videoja.
Gjithsesi, zëdhënësi i ushtrisë Daniel Reist thotë se ushtria nuk ka njohuri për videon, përcjell Telegrafi.
Por ai nuk e sheh ndonjë problem, lidhur me këtë: “Në këtë formë joformale në një makinë të mbyllur, kjo nuk na shqetëson”.
“Në sistemin zviceran, shërbejnë edhe qytetarë me nënshtetësi të dyfishtë. Pra, është e qartë që ata gjithashtu sjellin edhe sfondin e tyre kulturor”, thotë Tibor Szvircsev Tresch, sociolog ushtarak në Akademinë Ushtarake (Milak) në ETH Cyrih. “Në një farë mase, këta dy anëtarë të ushtrisë kanë dy zemra në një gji”.
Sidoqoftë, Szvircsev Tresch e gjen veprimin si “jo të mirë”.
“Ushtria pret që popullsia të jetë neutrale”. Ai sheh një problem tjetër: “Veprime të tilla provokojnë pakica të tjera brenda ushtrisë – në këtë shembull serbët – të cilat mund të çojnë në konflikte”.
Sipas Szvircsev Tresch, nëse “himni” do të ishte kënduar në publik, kjo ndoshta mund të ketë pasoja disiplinore – të tilla si në pranverën e vitit 2015, kur ushtarët në transportin publik pozonin me flamurin shqiptar. /Telegrafi/